Joao Felix u raportua se dëshiron që të largohet nga Atletico Madridi në afatin kalimtar dimëror.
“Marca” raportoi se sulmuesi portugez nuk është i lumtur në “Wanda Metropolitano” dhe dëshiron të largohet qysh në janar. Kjo vije pas acarimit të raporteve mes tij dhe trajnerit, Diego Simeone, derisa Felix ka humbur edhe vendin e titullarit.
Gjithashtu, është raportuar se agjenti Jorge Mendes ka nisur të kërkojë klub të ri për klientin e tij. Dhe, mediumi portugez “A Bola” ka raportuar së fundmi se Manchester Unitedi ka shprehur interesim për 22-vjeçarin.
“Djajtë e Kuq” thuhet se tash e një kohë janë admirues të Felixit dhe tani po monitorojnë situatën e tij te klubi nga kryeqyteti spanjoll.
Liverpooli, Manchester City, Bayern Munichi dhe Barcelona kanë kërkuar gjithashtu të mbahen të informuar për çdo zhvillim rreth të ardhmes së tij. Ndryshe, Joao Felix me Atletico Madridin ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2026.
Ish-sulmuesi i Benficas në tregun e transferimeve vlerësohet me 70 milionë euro, sipas “Transfermarkt”.