Milan është gjithmonë dhe më afër një titulli në kampionat që do të ishte historik, një kthim te fitorja pas 11 vitesh pritje dhe shumë sezonesh zhgënjyes.
Një ecuri në rritje që përfaqësohet nga dy lojtarë si Rafael Leao dhe Sandro Tonali. Mesfushori është blerë përfundimisht nga Brescia, ka reduktuar rrogën dhe është blinduar deri në 2026-ën, duke rritur ndjeshëm vlerën e tij nga 20 në 50 milionë euro.
Portugezi, nga ana tjetër, ka një kontratë që skadon në 2024-ën dhe marrëveshja për rinovimin nuk është arritur akoma. Sipas Corriere della Sera, bisedimet kanë pësuar një ngadalësim.
Aktualisht, ish-ylli i Lille fiton 1.5 milionë euro në sezon dhe kuqezinjtë janë të gatshëm t’ia trefishojnë rrogën lojtarit me një marrëveshje deri në 2026-ën dhe 2027-ën.
Janë të shumta klubet që janë interesuar për lojtarin nga janari i kaluar. Kryesisht PSG e Leonardo-s, që duket se është e gatshme të ofrojë 70 milionë euro.
Paraqitjet e mira të lojtarit kanë gëzuar Milan-in, por kanë tërhequr edhe vëmendjen e klubeve të tjera të mëdha të Europës. Kështu, 4,5 milionë eurot e ofruara nga Maldini mund të mos mjaftojnë.