Barcelona po vazhdon të përballet me vështirësi financiare, edhe pse nuk po ndalet assesi së përforcuari.
Gjiganti katalunas madje ka qenë mjaft aktiv në afatin kalimtar të verës. “Blaugrana” i kanë bërë disa përforcime të mëdha dhe e presin një sezon të suksesshëm në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, ata nuk i kanë kryer ende krejt obligimet e përforcimeve të bëra. Gazetari sportiv spanjoll Alfredo Martinez raporton se klubi nga “Camp Nou” nuk e ka regjistruar ende Jules Kounden në La Liga.
Dhe, sipas tij, për ta regjistruar qendërmbrojtësin francez, të cilin e bleu nga Sevilla, Barçës i nevojiten edhe 20 milionë euro, të cilat për momentin nuk i ka. Pra, me gjasë katalunasit nuk do të mundë të llogarisin në përforcimin më të ri as në ndeshjen e dytë sezonale në kampionatin spanjoll, të cilën do ta luajnë në fundjavë.
Barça u detyrua t’i shiste disa prej aseteve të saj në mënyrë që t’i paguante përforcimet e bëra, por edhe për vazhdimin e kontratave të lojtarëve të caktuar dhe një pjesë të rrogave të lojtarëve që i kishte tashmë në dispozicion.