Diego Costa ka qenë një nga emrat më të përfolur në këtë merkato verore. 33-vjeçari spanjoll me origjinë braziliane ka qenë pa skuadër që kur u largua nga Atlético Mineiro në janar.
Destinacioni i tij, tani, mund të jetë në Angli. Konkretisht, te Ëolverhampton. “Ujqërit”, sipas “The Athletic”, kanë aktivizuar opsionin Diego Costa pasi lojtari që kishte firmosur së fundmi, Sasa Kalajdzic, dëmtoi ligamentin e përparmë të kryqëzuar të gjurit në debutimin e tij kundër Southamptonit.
Raúl Jiménez mbetet i vetmi numër 9 i pastër në dispozicion të Bruno Lage.
Ish-lojtari i Atleticos do të udhëtojë drejt Anglisë të martën për t’iu nënshtruar një ekzaminimi mjekësor dhe për të vlerësuar gjendjen e tij fizike. Nëse gjithçka do të jetë në rregull, Diego Costa do të nënshkruajë kontratë me Wolverhamptonin dhe do të nisë menjëherë aventurën e dytë në Premier League.
Kujtojmë që Diego Costa nënshkroi me Chelsea-n në vitin 2014 për 38 milionë euro nga Atlético. Me “blutë” ai luajti gjithsej 120 ndeshje, duke shënuar 59 gola dhe dhënë 23 asistime.