Tre ditë më parë u mbajt në Paris ceremonia e ndarjes së Topit të Artë.
Siç pritej, fitues doli Karim Benzema, ndërsa fituesi i vitit të kaluar Lionel Messi nuk u nominua fare, për herë të parë që nga viti 2005. Pak ditë pas dhënies së çmimit për këtë sezon, mediumi ‘Goal’ prezantoi se si duken aktualisht favoritët për Topin e Artë 2023.
Sipas mediumit, Lionel Messi është në vendin e parë. Me 12 gola dhe tetë asistime në fillim të këtij sezoni, argjentinasi është në një rikthim të jashtëzakonshëm në formë. Lionel Messi pasohet nga dy bashkëlojtarët e PSG-së, Neymar (13 gola dhe 11 asistime) dhe Kylian Mbappe (13 gola dhe një asistim).
Me 21 gola dhe tre asistime, Erling Haaland është vetëm në pozitën e katërt dhe një nga mangësitë e norvegjezit është se kombëtarja e tij nuk u kualifikua në Botërorin e Katarit. Nëse e fiton vërtet, do të ishte hera e tetë që Messi fiton Topin e Artë.
Shumë komentojnë se në vend të parë duhet të jetë Erling Haaland, i cili është në formë të pabesueshme. Nëse jo për Topin e Artë, ai është padyshim kandidati i parë për të fituar çmimin Gerd Muller për golashënuesin më të mirë.