Barcelona nuk do të jetë në gjendje të heqë barrën e pagave në nivele të qëndrueshme derisa disa lojtarë veteranë t’i përfundojnë kontratat e tyre, tha të enjten nënkryetari financiar i klubit.
Ndërsa prezantoi buxhetin për këtë edicion, Eduard Romeu paralajmëroi se ka të ngjarë që të duhen të paktën edhe dy edicione të tjera përpara se Barcelona të jetë në gjendje ta mbajë këtë nivel pagash të lojtarëve brenda kufijve të menaxhueshëm.
“Ajo që na largon është shuma që shpenzojmë për pagat e lojtarëve tanë”, tha Romeu. “Ka një grup kontratash që kanë një kosto shumë të lartë dhe mes këtij sezoni e sezonit të ardhshëm ato duhet të zhduken”.
Kur u pyet se ai po i referohet kontratave të veteranëve si Gerard Pique, Sergio Busquets dhe Jordi Alba, Romeu u përgjigj me “po”.
Busquetsit, i cili është i lidhur me një kalim të mundshëm në MLS të SHBA-së, i skadon kontrata me Barcelonën në fund të këtij sezoni. Ndërsa, Pique dhe Alba kanë kontrata valide deri në qershor të vitit 2024. Të tre futbollistët kanë arritur suksese të mëdha me Barcelonën, ndërsa të suksesshëm ishin edhe me Përfaqësuesen e Spanjës.