Cristiano Ronaldo përfundimisht do të largohet në afatin kalimtar të janarit nga skuadra e Manchester Unitedit.
“Sky Sports” ka raportuar të mërkurën se Ronaldo tashmë ka arritur marrëveshje me Unitedin që të largohet në fillim të vitit të ardhshëm.
Tek Unitedi ka kohë që po dëshirojnë largimin e portugezit, i cili nuk bën pjesë në planet e trajnerit Erik ten Hag dhe janë në pritje të ofertave. Ekipi anglez po shpreson se pas Botërorit, Ronaldo do të ketë ofertë nga ekipet e tjera, të cilat të paktën do të ofrojnë mbi dhjetë milionë euro për kartonin e tij.
37-vjeçari ka kontratë me Unitedin deri në fund të këtij sezoni, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Këtë edicion ai ka shënuar tri gola dhe ka bërë dy asistime në 16 ndeshje në të gjitha garat.