Gareth Bale ka shkëlqyer në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Austrisë.
Lojtari i Real Madridit, i cili shënoi dy herë në Cardiff, në fitoren 2-1, pati një deklaratë “thumbuese” ndaj mediave spanjolle.
Së fundmi, Marca ka publikuar një foto të sulmuesit, në të cilën ai paraqitet në stërvitje me veshje tipike të Uellsit, me titullin: “Jo më!”. E njëjta gazetë, në një artikull tjetër, në rastin e opinionit, e cilësoi uellsianin si “parazit”.
Ditën e djeshme, Bale u hakmor ndaj atyre që e kishin kritikuar aq shumë dhe gjatë festimeve shkoi në një nga kamerat televizive dhe tha disa fjalë. Në fund të sfidës ai u pyet për këtë gjë.
“Golat që kam shënuar nuk janë mesazhe për askënd. Do të ishte humbje kohe. Disa njerëz duhet të kenë turp nga vetja dhe të shmangin publikimin e titujve absolutisht të neveritshëm dhe poshtërues. Kam lexuar gjëra për veten time që janë të neveritshme”, tha Gareth Bale.