Granit Xhaka përgatit të marrë pjesë për herë të tretë në një kampionat Botëror teksa me statusin e kapitenit ka detyrën të udhëheqë kombëtaren e Zvicrës.
Megjithatë, mesfushori nuk e harron për asnjë moment origjinën e tij dhe në një intervistë të fundit për Kanalin T7 në Kosovë, para se të zbresë në stadiumet e Katarit thekson se do të kërkojë t’i bëjë krenarë të gjithë shqiptarët me paraqitjet e tij. Nga ana tjetër, Xhaka shpreh dëshirën që në Botërorin e ardhshëm të marrin pjesë edhe Kosova me Shqipërinë.
“Me të vërtet jam krenar që marr pjesë për të tretën herë në Kampionatin Botëror. Do të përpiqem që me lojën time t’i bëjë krenarë gjithë shqiptarët ngado që janë dhe mesazhi im është që çdo shqiptar të ndihet krenar me mua. Dashtë Zoti që në Kampionatin e ardhshëm Botëror të jenë edhe Kosova e Shqipëria. Shpresoj që edhe në Botëror të bëjë paraqitje të shkëlqyeshme dhe do të angazhohem shumë për këtë.
Për mua sikurse për çdo futbollist tjetër është realizim i një ëndrre pjesëmarrja në tri Kampionate Botërore. Unë e kam fatin që të marrë pjesë në Botërorin e tretë si lojtar dhe si kapiten i Zvicrës. Si kapiten i Zvicrës besoj se do ta kryej me nderë, përgjegjësi dhe respekt detyrën e kapitenit dhe do t’i qëndroj me përgjegjësi Kombëtares së Zvicrës”, shprehet Xhaka.
Kujtojmë se “Helvetët” janë të shortuar në Grupin G, së bashku me Brazilin, Kamerunin dhe Serbinë.