Granit Xhaka mund ta përfundojë karrierën te skuadra e Baselit në Zvicër.
Sipas gazetës zvicerane “Blick”, Xhaka dhe nënkryetari i klubit zviceran, David Degen, janë takuar para disa ditësh, pak kohë pasi Xhaka publikisht dha kritika për drejtuesit e klubit helvetik pas disfatës nga Zuerichu, 4:2. “Blick” ka shkruar se si shumë legjenda të klubit që e kanë mbyllur karrierën te Baseli, njësoj mund të veprojë edhe Xhaka.
“Është ëndërr e imja dhe e Taulantit që të luajmë sërish bashkë te Baseli, edhe nëse do të ishte vetëm një minutë apo një ndeshje. Por, unë do të doja të fitoja ende tituj me Baselin”, kishte thënë Granit Xhaka në një intervistë dhënë gazetës zvicerane para Kampionatit Evorpian 2021.
Granit Xhaka është rritur si futbollist te Baseli, të cilit iu bashkua në vitin 2003 dhe debutoi me skuadrën e parë në gusht të vitit 2010.
Pati 67 paraqitje, i fitoi dy tituj të kampionatit dhe një trofe të Kupës në vitin 2012. Më pas u transferua te Gladbachu në Bundesligë, ndërsa në Angli është tash e gjashtë vjet.