Riqui Puig një kohë cilësohej si sensacion kur ai bëri debutimin e tij për ekipin e parë të Barcelonës në vitin 2018, por në fund nuk ia doli që të ketë vazhdimësi me fanellën blaugranse duke u larguar nga klubi.
Ai eventualisht u transferua në MLS tek La Galaxy, atje ku kishte gjetur formën e jetës dhe kishte shkëlqyer, veçanërisht në 12 muajt e fundit. Së bashku me ish-bashkëlojtarin e tij Lionel Messi, Puig ka qenë lojtari më i mirë në MLS përgjatë këtij sezoni.
Ai ka luajtur një rol të madh për faktin se La Galaxy u kualifikua në finale të Kupës MLS, e cila do të zhvillohet vikendin e ardhshëm ndaj New York Red Bulls. Sidoqoftë, Puig nuk do të jetë në gjendje që të luajë në atë sfidë për shkak të një lëndimi të rëndë që ka pësuar. Sipas një raportimi nga mediumi spanjoll Sport, Puig e ka këputur ligamentin ACL në ndeshjen që La Galaxy e fitoi ndaj Seattle Sounders këtë vikend, por që çuditërisht këtë sfidë e çoi deri në fund.
Kështu, Puig u bë pjesë e një liste të gjatë lojtarësh që kanë këputur ligamentin ACL në vitet e fundit, ku edhe ish-klubi i tij Barça është prekur nga kjo situatë, me Gavi dhe Marc Bernal që kanë pësuar të njëjtin lëndim në 13 muajt e fundit.