Tri klube angleze raportohet se kanë bërë tashmë ofertat e tyre për Josko Gvardiol, i cili po tregon paraqitje të shkëlqyeshme në Kupën e Botës “Katar 2022”.
Sipas “FootMercato”, Manchester City, Manchester United dhe Chelsea janë klubet që kanë dërguar ofertat e tyre te Leipzigu. Derisa Gvardiol është i fokusuar në Kupën e Botës, aty ku me Kroacinë është kualifikuar deri në gjysmëfinale, në prapaskenë agjenti i tij po punon për të ardhmen e tij.
Oferta e Manchester Cityt thuhet se është me vlerë mbi 100 milionë euro, përfshirë edhe bonuset. Kurse, ofertat e Manchester Unitedit dhe Chelseat janë midis 90-95 milionë euro.
Edhe Bayern Munich besohet se është shumë i interesuar për 20-vjeçari dhe ka planifikuar një takim me agjentin e tij. Në Spanjë, Real Madridi dhe Barcelona janë klubet e interesuara.
Preferenca e lojtarit thuhet se është për të luajtur në Premierligë. Ndryshe, Josko Gvardiol ka kontratë të vlefshme me Leipzigun deri më 30 qershor 2027.