Agjenti i Cristiano Ronaldos, Jorge Mendes, raportohet se është ende duke punuar për një zgjidhje, e cila do t’ia mundësonte klientit të tij largimin nga Manchester United këtë verë.
E ardhmja e sulmuesit portugez është ende e paqartë, derisa ai është duke e kërkuar largimin nga “Old Trafford”. Eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, ka thënë se agjenti i Ronaldos, Mendes është ende duke “punuar për një zgjidhje”. Ai mohoi një interesim nga ish-klubi i lojtarit, Sporting Lisbona.
“Nuk ka asgjë që po ndodh me Sporting – kjo histori ishte një lajm i rremë. Situata ka mbetur në thelb e njëjtë në 20 ditët e fundit: Cristiano dëshiron të largohet, Erik ten Hag pret të ketë një bisedë me të në përpjekje për t’ia ndryshuar mendjen”, ka shkruar Romano në rubrikën e tij për “Caught Offside”.
“Manchester United pret përgjigje nga Cristiano për të kuptuar se kur mund të kthehet në stërvitje, por Jorge Mendes vazhdon të punojë për zgjidhjet: Atletico Madrid, Bayern Munich dhe Chelsea janë afruar, por ende nuk ka zhvillime”, shkroi gazetari italian.
Së fundi u raportua se Manchester United do të pranonte që 37-vjeçari të largohej në formë huazimi për sezonin 2022/23, me kusht që ai të nënshkruante një zgjatje të kontratës deri në vitin 2024. Edhe trajneri te “Djajtë e Kuq”, Erik ten Hag, ka insistuar vazhdimisht se pesë herë fituesi i “Topit të Artë” nuk do të largohet.
Megjithatë, Ronaldo ende nuk ka filluar stërvitjet me skuadrën angleze dhe gjasat besohet se janë më të mëdha që ai të largohet.