Një detaj që u vërejt gjatë ndeshjes së mbrëmshme mes Barcelonës dhe Napolit ishte se fanella e sulmuesit Ferran Torres në pjesën e dytë nuk kishte logot e Nike dhe Barcelonës.
Fotografitë e sulmuesit spanjoll pa dy logot vërshuan nëpër rrjetet sociale dhe pyetja që të gjithë e bënin ishte se ku mbetën logot në fanellën e tij.
Ferran Torres luajti pjesën e dytë të ndeshjes kundër Napolit i veshur me një fanellë pa stemën e Barcelonës dhe logon e Nike, sepse ato nuk ishin ngjitur siç duhet në fanellën e tij.
Sipas AS, askush nuk e vuri re kur lojtarët ndërruan fanellat e tyre në dhomën e zhveshjes gjatë pushimit.
Ferran Torres shënoi golin e barazimit nga penalltia, por humbi disa raste ideale mbrëmë.
Pas ndeshjes, ai “shpërtheu” në lot dhe u pa shumë i dëshpëruar për rastet e humbura.