Real Madridi ka njoftuar se skuadra do të vesh një fanellë të zezë në El Clasico kundër Barcelonës, që do të zhvillohet në Santiago Bernabeu të dielën.
Fanellat e reja janë lansuar këtë sezon për 120-vjetorin e Real Madridit dhe janë projektuar nga stilisti legjendar Yohji Yamamoto. Ai ka bashkëpunuar me Adidasin për dy dekadat e fundit, ndërsa ngjyrat e fanellës janë të zeza.
Në anën tjetër, Barcelona do të paraqitet me fanellën e tretë për këtë sezon, e cila ka ngjyrat e flamurit që përfaqëson Kataloninë. Ky do të jetë një rast i veçantë për të dyja skuadrat, të cilat zakonisht kanë veshur fanellat e tyre të para.
Ndryshe, derbi i madh i kampionatit spanjoll do të luhet të dielën me fillim nga ora 21:00 dhe Reali ka 15 pikë më shumë se rivali historik. Reali aktualisht është në vendin e parë në La Liga me dhjetë pikë më shumë se Sevilla e vendit të dytë dhe sigurisht që po shkon drejt një titulli të ri të kampionit. Nga ana tjetër, Barcelona është në vendin e tretë me pesë pikë më pak se Sevilla dhe po lufton për një vend në Ligën e Kampionëve.