Liverpool i Jurgen Klopp do të luajë më datë 28 maj në stadiumin Stade de France në Paris finalen e tretë të Champions League në pesë vitet e fundit.
Të kuqtë që do të jenë në kërkim të trofeut numër shtatë në histori për të barazuar Milanin, sfidojnë “Mbretërorët” e Real Madrid. Pritet që një numër i konsiderueshëm i tifozëve anglezë të udhëtojnë drejt Francës pasi tashmë fansat e Liverpool njihen nga të gjitha sa fanatikë janë kur vjen puna te skuadra e zemrës. Megjithatë, jo të gjithë do ta kenë mundësinë për të siguruar një biletë në Stade de France, teksa nga 81.000 vende që ka në impiantin e kryeqytetit të Francës, vetëm 20.000 bileta janë vendosur në dispozicion të mbështetësve të Liverpool.
Kështu, faqja zyrtare e klubit i ka bërë thirrje tifozëve të mos udhëtojnë drejt Parisit nëse nuk disponojnë një biletë. Megjithatë, trajneri Jurgen Klopp nuk ia ka “vënë veshin” kësaj deklarate dhe së fundmi ka ftuar tifozët e skuadrës që të jenë të shumtë në Francë dhe të udhëtojnë edhe nëse nuk kanë një biletë për në stadium.
“Shpresoj që të gjithë tifozët tanë të jenë në Paris dhe të krijojnë një atmosferë fantastike. Edhe nëse nuk keni një biletë, unë nuk dua të marr përsipër të ftoj njerëzit, por kjo ndeshje është diçka e madhe. Unë mendoj se Parisi është mjaftueshëm i madh edhe për të pritur njerëz të cilët nuk kanë një biletë, ju kërkoj tifozëve të sillen mirë dhe ta shijojnë”, u shpreh Klopp.