Kingsley Coman raportohet se do t’i mungojë Bayern Munichit për disa javë, teksa ai nuk do të mund të paraqitet kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi francez ka pësuar lëndim në kofshën e këmbës së djathtë në seancën stërvitore të ditës së sotme. Lëndimi i tij është konfirmuar edhe nga klubi gjerman.
“Bavarezët” nuk kanë treguar ende se për sa kohë do të mungojë lojtari, por sipas “Bild”, 26-vjeçari do të mungojë dy deri në tri javë.
Kështu, Coman nuk do të mund të luajë kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve, ndeshje e cila do të zhvillohet më 13 shtator, në “Allianz Arena”.