Paris Saint-Germain ka zbarkuar në Japoni për përgatitjet e tyre parasezonale dhe tre nga yjet e tyre më të mëdhenj kanë biseduar me tifozët japonezë.
Lionel Messi, Kylian Mbappe dhe Neymar iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve në një konferencë për shtyp pas mbërritjes së tyre në Azi. Tre yjet janë falëndërues për mirëpritjen që kanë marrë nga mbështetësit japonezë.
“Është kënaqësi për ne që jemi këtu, kemi pasur një pritje të mrekullueshme që kur mbërritëm në aeroport dhe në hotel dhe shpresojmë të kalojmë disa ditë të këndshme këtu”, tha Mbappe.
Messi kishte fjalë të mira edhe për tifozët japonezë kur foli. Një nga momentet më interesante të ngjarjes ishte kur Lionel Messi u përgjigjë pyetjes së vogëlushit japonez. Ai i kërkoi këshilla Messit se si të arrinte sukses në futboll.
“Gjëja më e rëndësishme është ta duash dhe ta shijosh futbollin si fëmijë, pasi unë përmes futbollit mësova për përgjegjësinë, përpjekjen, sakrificën dhe shoqërinë”, u përgjigj Messi. “Mendoj se gjëja më e rëndësishme është të argëtoheni dhe të shijoni futbollin, gjë që është diçka e bukur kur e bëni”. PSG është në Japoni për tre ndeshje në korrik: më 20 korrik kundër Kawasaki Frontale, më 23 korrik kundër Urawa Red dhe më 25 korrik kundër Gamba Osaka.