Romelu Lukaku u rikthye me shumë bujë te Inter në merkaton e verës falë një marrëveshje huazimi me klubin e Chelsea-t. Por, fati e desh që 29-vjeçari të dëmtohej dhe të humbasë pjesën më të madhe të dueleve ndërsa trajneri Simone Inzaghi mund të bashkohet me sulmuesin vetëm në janarin e vitit 2023.
Aktualisht, bilanci është kundër sulmuesit teksa Lukaku po rëndon në aspektin financiar. 12 milionë euro pagoi Inter për ta marrë nga Chelsea dhe me minutat e luajtura deri më tani, 249 të tilla në kampionat dhe vetëm 7’ në Champions, Lukaku i kushton zikaltërve plot 46.875 euro në minutë.
Nga ana tjetër një gol dhe një asist në kampionat, si dhe një tjetër realizim në Champions që për më tepër nuk kishte asnjë ndikim në fatin e skuadrës në Europë, bëjnë që Lukaku të humbasë rëndësinë në hierarkinë e skuadrës dhe drejtuesit e Inter tashmë po reflektojnë nëse ia vlen të shpenzojnë për një sulmues që nuk garanton vazhdimësi në aspektin fizik.