Ralf Rangnick nuk do të jetë trajneri i Manchester United në sezonin e ardhshëm. Pra, gjermani do të mbetet vetëm konsulent në klubin nga “Old Trafford”. “Djajtë e Kuq” janë vënë në kërkim të dikujt që do ta zëvendësojë atë, shpjegon “The Sun”.
Dy emrat që klubi britanik do të dëshironte, me synimin për të hapur një cikël të ri dhe të qëndrueshëm, sipas tabloidit në fjalë, janë Mauricio Pochettino (aktualisht te Paris Saint-Germain) dhe Erik ten Hag (Ajax).
Në këtë mënyrë, duket se Manchester United ka zgjedhur CR7 para gjermanit. Mediat në ishull kanë shkruar për një raport të ftohtë mes të dyve, me yllin portugez që ua ka bërë të qartë drejtuesve se me Rangnick trajner, ai nuk do të qëndrojë në “Old Trafford”.
Trajneri i Manchester United, i cili foli në konferencën për shtyp, u ndal edhe te kriza politike që ka nisur prej pushtimit rus të Ukrainës: “Kjo situatë është jashtëzakonisht e trishtueshme, secili prej nesh mendon pak a shumë njësoj.
Është e pabesueshme me çfarë po përballemi, me luftë në Evropë, në ditët e sotme. Ishte e pashmangshme zhvendosja e finales së Champions League nga Shën Petersburg, UEFA bëri zgjedhjen e duhur”.