Adnan Januzaj nuk pritet të jetë pjesë e Real Sociedadit pas përfundimit të sezonit aktual.
“Fichajes” ka raportuar se në klub janë pajtuar me faktin se Januzaj nuk do ta rinovojë kontratën që i skadon në verë dhe për këtë arsye nuk do të insistojnë për ta mbajtur në ekip.
Madje, trajneri Imanol Alguacil e di shumë mirë se Januzajn nuk do ta ketë në ekip për sezonin e ardhshëm dhe tashmë ka nisur kërkimin për një zëvendësues të tij. Ai është i bindur se Januzaj karrierën do ta vazhdojë në Serie A, sipas të gjitha gjasave te Napoli përkundër interesimit nga Milani.
27-vjeçari është pjesë e Sociedadit prej vitit 2017, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Manchester Unitedi, Sunderlandi e Borussia Dortmundi. Këtë sezon, Januzaj ka shënuar katër gola dhe ka asistuar tri herë në 36 paraqitje. Së fundmi, ai është grumbulluar me Përfaqësuesen e Belgjikës për ndeshjet miqësore të këtij muaji.