Në këtë merkato verore u realizuan më shumë transferta se sa kurrë më parë të futbollistëve dhe në total u kryen transaksione me vlerë 5 miliardë Euro.
Referuar një raporti të FIFA-s, fituesit e mëdhenj ishin agjentët e lojtarëve, që përfituan gati 10% të shumës së shpenzuar, ose 495 milionë Euro. 9,717 futbollistë ndërruan ekip gjatë merkatos, ndërsa 417 federime të tjera janë pezull, e pritet që për herë të parë numri i futbollistëve të blerë të shkojë mbi 10 mijë.
Rekordi për më shumë futbollistë që ndërruan ekipe ishte vendosur në vitin 2019, kur 9092 lojtarë ndryshuan fanellat. Rekord u vendos edhe sa i përket futbollisteve të shitura. Vitin e shkuar, agjentët përfituan 427 milionë euro nga transferimet e futbollistëve.
Vendin e parë sa i përket shitblerjes së futbollistëve e mban Europa, ku UEFA ka regjistruar 6500 lëvizje lojtarësh profesionistë. Nurmi i lartë i transferimeve në këtë verë u ndikua nga gjendja financiare e përmirësuar e klubeve pas pandemisë dhe pasuria e Premier Ligës, me klubet angleze që shpenzuan gati 2.3 miliardë Euro.