Mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka emëruar ekipin e tij më të mirë me pesë lojtarët më të mirë në futbollin botëror për momentin dhe në të nuk ka hapësirë për Lionel Messin apo Cristiano Ronaldon.
Përpara finales së Ligës së Kampionëve të së shtunës me Real Madridin, Van Dijk u ul me Rio Ferdinand dhe tregoi se me cilët lojtarë do të donte të bënte një ndeshje.
Reprezentuesi holandez zgjodhi veten, padyshim, dhe bashkëlojtarin e Reds, Alisson mes shtyllave. Megjithatë, pas kësaj, gjërat fillojnë të bëhen interesante.
Në mesfushë ai zgjodhi yllin e Manchester Cityt, Kevin De Bruyne, i cili u emërua lojtari më i mirë i sezonit në Ligën Premier javën e kaluar.
Në sulm, 30-vjeçari vendosi të zgjedhë sensacionin e Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe dhe veteranin e Real Madrid, Karim Benzema.
Kjo do të thotë se nuk ka vend për Messin e PSG-së apo legjendën e Manchester Unitedit, Ronaldo.