Vëllai i Lionel Messit pohon se superylli i futbollit nuk do të kthehet te Barcelona nëse Joan Laporta mbetet president.
Duke folur në kanalin e djalit të tij në Twitch, Matias Messi ka thënë: “E kamë një pjesë të shkëputur të Sport, ku thuhet: ‘Messi duhet të rikthehet te Barcelona’ dhe nën të e kam vendosur: ‘Hahaha’. Nuk do të kthehemi te Barcelona dhe nëse kthehemi, do të bëjmë një spastrim, duke hequr, në mes të tjerëve, Joan Laportan, i cili është jo falënderues për gjithë atë që ka bërë Messi për Barcelonën”.
“Barcelona filloi të njihej globalisht për shkak të Messit, më përpara njerëzit e njihnin vetëm Madridin”, ka deklaruar Matias.
Ndërsa sot presidenti i Barcelonës, Joan Laporta është rikthyer të flasë për Lionel Messin pas deklaratës nga vëllai i tij.
“Leo është një trashëgimi i Barcelonës dhe jemi krenarë që e kemi pasur. Por, tash është në PSG dhe nuk dua të flas për lojtarët që luajnë në klube të tjera. Sa i përket deklaratave të vëllait të tij, është e rëndësishme që ka kërkuar falje”, u shpreh Laporta në konferencë për shtyp sot.